E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump përpiqet të fajësojë Biden për dobësimin e ekonomisë amerikane

UASHINGTON, 30 prill /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan, Donald Trump mori sot lajme shqetësuese rreth dobësimit të ekonomisë amerikane lidhur me pasojat e mundshme të tarifave të tij, sipas AP.

Trump u përpoq t’ia hidhte fajin paraardhësit të tij demokrat, Joe Biden.

Qeveria raportoi se ekonomia amerikane u tkurr me një normë vjetore prej 0,3% gjatë tre muajve të parë të vitit.

Pas rënies pati një rritje të importeve, ndërsa kompanitë u përpoqën të përballonin tarifat gjithëpërfshirëse ndaj automobilave, çelikut, aluminit dhe pothuajse ndaj çdo vendi.

Dhe madje edhe shenjat pozitive të rritjes së konsumit të brendshëm treguan se blerjet mund të bëheshin përpara se taksat e importit të shkaktonin një rritje të çmimeve.

Trump fajësoi Biden – ndërsa tregu i aksioneve regjistroi një rënie sot në mëngjes – në përgjigje të raportit të produktit të brendshëm bruto (PBB).

“Ky është Tregu i Aksioneve i Biden, jo i Trump”, postoi presidenti republikan, i cili mori detyrën në janar, në “Truth Social”.

“Tarifat, së shpejti do të fillojnë të hyjnë në fuqi dhe kompanitë po fillojnë të vijnë në SHBA në një numër rekord. Vendi ynë do të lulëzojë, por duhet të heqim qafe ‘mbrojtjen’ e Biden. Kjo do të zgjasë pak. Nuk ka lidhje me tarifat”, tha Trump.

Por, raporti i PBB-së u jep demokratëve të drejtën për të pohuar se politikat e Trump mund te nxisin ekonominë drejt një recesioni.

“Trump ka qenë në detyrë vetëm për 100 ditë dhe kostot, kaosi dhe korrupsioni janë tashmë në rritje”, tha senatori Jeff Merkley, D-Ore.

“Ekonomia po ngadalësohet, çmimet po rriten dhe familjet e klasës së mesme po e ndiejnë shtrëngimin”, shtoi ai.

Raporti u publikua ndërsa Trump po përpiqet ta përqendrojë vëmendjen te investimet e reja të kompanive në SHBA.

Mesazhi i Trump për ekonominë amerikane përmban disa argumente kontradiktore dhe hedh poshtë të dhënat që ngrenë alarmin.

Trump kërkon merita për 100 ditët e para agresive në Shtëpinë e Bardhë – që përfshijnë shkurtime masive të punonjësve federalë dhe fillimin e një lufte tregtare me 145% tarifa të reja kundër Kinës.

Ai gjithashtu kërkon të fajësojë Biden per reagimin negativ të tregjeve financiare – cili u largua nga detyra disa muaj më parë.

Sipas Trump, tarifat e tij janë mjete negociuese për të gjeneruar marrëveshje tregtare – por në të njëjtën kohë duke u mbështetur në qindra miliarda dollarë të ardhura nga tarifat – do të mundësohet mbulimi i uljeve të planifikuara të taksave mbi të ardhurat.

Trump theksoi sot aspektet pozitive të raportit të PBB-së në një takim të kabinetit.

I pyetur në lidhje me tarifat e tij që po shkaktojnë inflacion, Trump tha se ekonomia do të kishte rënë nëse ai nuk do të vendoste taksa importi ndaj vendeve aleate, përfshirë Bashkimin Evropian, Kanadanë, Meksikën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Indinë.

Deklaratat e demokratëve pas raportit të PBB-së vunë në dukje se sa shpejt ekonomia, e cila ende ka një normë të shëndetshme papunësie prej 4,2%, duket se humbet vrullin brenda disa javësh nga kthimi i Trump.

“Në vetëm 100 ditë, presidenti Trump e ka çuar ekonominë e SHBA-së nga një rritje e fortë dhe e qëndrueshme në një PBB negative”, tha Heather Boushey, një ish-anëtare e Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë.

“Kjo kthesë e habitshme e fatit është drejtpërdrejt për shkak të mungesës së koherencës së politikës së tij ekonomike dhe keqmenaxhimit të tij të politikës federale në përgjithësi”, shtoi ajo. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›