Ngërçi për Presidentin në Kosovë, Sokol Gjoka: Tregon mungesë konsensusi, përgjegjësia kryesore i takon forcës në pushtet

Situata politike në Kosovë ka hyrë në një tjetër ngërç institucional, pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë Presidentin e ri të vendit. Ish-ambasadori Sokol Gjoka, duke komentuar zhvillimet, theksoi në emisionin “3D” në RTSH se problematika kryesore lidhet me përplasjet e vazhdueshme mes forcave politike dhe mungesën e konsensusit.
Gjoka kujtoi se brenda një viti u zhvilluan dy zgjedhje parlamentare, ndërsa tani vendi përballet me një krizë të re politike për zgjedhjen e kreut të shtetit, figurë që sipas tij është simbol i unitetit kombëtar. Ai shtoi se edhe pse pritej që procesi të ndodhte në kohën e caktuar, forcat politike nuk arritën të shmangnin ngërçin, pavarësisht diskutimeve për masa parandaluese.
“Problematika më e madhe është ngërçi institucional. Kushtetuta i ka të mirë përcatuara mënyrat e ngritjes së institucioneve nga Kuvendi. Kjo çështje edhe pritej sepse përplasjet politike midis forcave politike në Kosovë kanë qenë shumë të ethshme. Fakti që u zhvilluan 2 zgjedhje parlamentare brenda 1 viti dhe tani vijmë në një ngërç tjetër politik që është zgjedhja e Presidentit, tregon që problematika është te politika, aq më tepër për zgjedhjen e një figure të tillë që është simboli i unitetit kombëtar. Zgjedhja e Presidentit pritej që do të ndodhte në kohën e caktuar, edhe forcat politike ishin të ndërgjegjshme dhe flitej për masat që duhej të merreshin për të shmangur një ngërç”, tha ai.
Sipas ish-ambasadorit, përgjegjësia është e shpërndarë proporcionalisht, por forca politike kryesore që drejton vendin mban barrën më të madhe. Gjoka nënvizoi se stabilitetit politik do t’i shërbente fakti që Presidenti të vinte nga opozita, për të krijuar balanca pushtetesh, por opozita nuk paraqiti një kandidaturë, duke marrë edhe ajo pjesën e saj të përgjegjësisë.
“Përgjegjësia është proporcionale, natyrisht forca pulitke kryesore që ka drejtimin e vendit ka përgjegjësinë më të madhe. Do t’i shërbente stabilitetit politik në vend që figura e presidentit ët vinte nga opozita për balanca pushtetesh në Kosovë, por forcat opozitare nuk u paraqitën me një kandidaturë, kështu që edhe ata kanë përgjegjësinë e tyre”, theksoi ai.
/rtsh.al/