VV: Shpërndarja e Kuvendit akt i paprecedent, vendimin do ta çojmë në Kushtetuese

PRISHTINË, 6 mars/ATSH/ Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavaci ka thënë të premten se shpërndarja e Kuvendit nga ana e presidentes Vjosa Osmani paraqet akt të paprecedent që bie ndesh me rendin dhe që rastin do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk kishte pse të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka deklaruar ajo në një konferencë për media.
Sipas saj, LVV-ja, në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor, në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangien e zgjedhjeve.
“Barrikadimi me jo-në e vazhdueshme, është i padobishëm dhe i panevojshëm”, ka thënë ajo.
LVV-ja i ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Në këtë legjislaturë ajo i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
E pyetur nëse partia do të marrë pjesë në konsultimet që do t’i nisë Osmani për datën e zgjedhjeve të reja, ajo ka thënë se nuk sheh arsye për të marrë pjesë në to.
Nagavci, gjithashtu, i ka kërkuar Osmanit që t’i përmendë me emra figurat që ajo beson se kanë qëllime të rrezikshme për shtetin e Kosovës.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Adnan Rrustemi tha në konferencë për media se partia ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në procedurat për zgjedhjen e presidentit.
“Sot jemi në ditën e parë të afatit 60 ditor” për zgjedhjen e presidentit, ka thënë ai.
“Dekreti [për shpalljen e zgjedhjeve] është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme”, tha ai.
Prandaj, sipas tij, çdo veprim që rrjedh si rrjedhojë e dekretit të presidentes, përfshirë takimin konsultativ me partitë politike është në kundërshtim me Kushtetutën.
Rrustemi është shprehur i bindur që Kushtetuesja do të vendosë masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit, por që procesin nuk mund ta paragjykojë prej tani.
Çfarë tha Osmani më herët?
Megjithatë presidentja Osmani ka thënë më herët gjatë ditës se neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual dhe mandati i saj përfundon më 4 prill.
“Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjidhte presidentin e ri. Ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Pra, nuk kemi të bëjmë me një debat publik. Kemi të bëjmë me një fakt të qartë kushtetues. Kushtetuta nuk është shkruar për interpretime që relativizojnë peshën e saj. Ajo është shkruar për të garantuar funksionimin e shtetit, jo zvarritjen dhe mosfunksionimin”.
Mes tjerash, ajo ka thënë se pasojat nga mospërmbushja e afateve janë të qarta. /REL/