Ngërçi politik mund ta lërë Kosovën pa buxhet. Qeveria në detyrë nuk mund ta dërgojë në Kuvend pa konstituim

Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet shteti për vitin e ardhshëm, pasi vendi ndodhet në një ngërç politik dhe ende nuk janë krijuar institucionet e reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ndërsa Ministria e Financave pretendon se aktualisht është duke zhvilluar dëgjesa me grupet e interesit, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se ekzekutivi në detyrë nuk ka respektuar procedurat e duhura për hartimin dhe miratimin e buxhetit dhe nuk ka vullnetin për t’i gjetur zgjidhje kësaj situate.
“Qeveria edhe pse është në detyrë, duhet ta përgatisë komplet projektligjin e buxhetit për vitin 2026 dhe ta miratojë në Qeveri. Nuk mund ta dorëzojë në Kuvend, sepse nuk ka Kuvend të konstituar. Kjo e ka për obligim që ta miratojë draft-buxhetin, pra projektligjin e buxhetit për vitin 2026, brenda afateve ligjore, siç përcaktohet në Ligjin për menaxhimin e financave publike… Nëse nuk ka buxhet të miratuar deri më 31 dhjetor të këtij viti, më 1 janar, sipas ligjit, bllokohen të gjitha pagesat, pa përjashtim, përveç borxhit shtetëror që Ministria e Financave e ka për obligim të kryejë për marrëveshjet e borxhit shtetëror. Asnjë pagesë tjetër nuk mund të procedohet. Kjo tregon papërgjegjësinë e kësaj partie që ka dalë e para në zgjedhje, duke mos hapur rrugë për formimin e institucioneve, ose duke mos, si me thënë, bërë publike pamundësinë e saj për të themeluar qeverinë e re dhe për të kërkuar dialog politik se si të ecet përpara. Ka modalitete sesi të ecet përpara. Mund të themelohet qeveria e përkohshme për të kryer disa… Ne kemi dhënë një opsion dhe ka modalitete”, thotë ai.
Por eksperti i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, shprehet skeptik për sa i përket të drejtës së qeverisë në detyrë për të miratuar buxhetin.
“Po rrezikojmë të mos kemi buxhet për vitin tjetër fiskal. Sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike, një ligj i tillë duhet të votohet nga një qeveri legjitime dhe legale para datës 31 tetor që t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim deri në muajin dhjetor”, thekson Jakaj.
Sipas kreut të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, nëse nuk zgjidhjet ngërçi politik, komunat mund të përballen me probleme buxhetore vitin e ardhshëm.
“Gjithashtu kemi edhe çështjen e buxhetit të komunave të Republikës së Kosovës. Me legjislacionin në fuqi, komunat i miratojnë buxhetet e tyre komunale deri më 30 shtator të këtij viti për vitin e ardhshëm. Nëse nuk kemi organe legjislative dhe ekzekutive në nivelin qendror të konstituara, atëherë komunat mund të mbesin pa buxhet vitin e ardhshëm, jo vetëm komunat, por i gjithë shteti. Për këtë arsye theksoj se këto probleme janë shumëdimensionale në nivelin lokal dhe po shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur, këto organe të konstituohen në mënyrë që të fillojë një jetë normale në Republikën e Kosovës. Pra, pasojat për nivelin lokal janë shumëdimensionale”, thotë z. Ibrahimi.
Tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë ende nuk janë krijuar institucionet e reja. Në datën 5 shtator, Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi një masë të përkohshme përmes së cilës deri në 30 shtator iu ndalohet deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/