Përkujtohet sot poeti Havzi Nela, “Martir i Demokracisë”

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot poetin Havzi Nela (20 shkurt 1934 – 10 gusht 1988).
Ai lindi më 20 shkurt të vitit 1934 në fshatin Kollovoz të Kukësit. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, nisi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.
Për shkak të bindjeve, u përjashtua nga Instituti si element destruktiv. Mes shumë vështirësish, filloi punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë në Mat. U dëbua nga ky fshat për shkak të dyshimeve që ishin ngritur rreth tij: mendohej se u lexonte nxënësve poemat e tij. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë.
Punoi si mësues në fshatra të ndryshëm, si në Krumë, Lojma dhe në Shishtavec deri në vitin 1967, vit kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht dhe u mor në paraburgim shumë herë. Ndaj tij nisën një sërë kufizimesh mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.
Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, Lavdien, kaluan kufirin me Kosovën. Gjatë kalimit të kufirit, u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.
Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave, UDB-së.
Më 22 maj 1967 u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 8 gusht 1975, dënimit ekzistues iu shtuan edhe tetë vite të tjera. U lirua më 19 dhjetor 1986, por vetëm për një kohë të shkurtër. Më pak se një vit më vonë, më 12 tetor 1987, u internua në fshatin Arrën.
Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Vendimi u ekzekutua publikisht në Kukës, më 10 gusht 1988.
Havzi Nela është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë”.
Në përkujtimin e 75-vjetorit të lindjes së Havzi Nelës, shkrimtari i shquar Ismail Kadare shkruante: “Poeti Havzi Nela është një këmbanë që ende bie për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë këmbanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë”.