E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarja në Gjilan, policia arreston babain e viktimës, dyshohet se vrau djalin e foshnjën - ATSH -

PRISHTINË, 1 nëntor/ATSH/ Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka bërë të ditur për KosovaPress, se pas vdekjes së dyshimtë të një 27-vjeçari dhe një foshnje tremuajshe, është arrestuar babai i viktimës (65-vjeç) në cilësinë e të dyshuarit dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, Hashani tha se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes në Demiraj të Gjilanit, ku një 27-vjeçar dhe një foshnje janë gjetur sot pa shenja jeta.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, tha Hashani.

Hashani tha se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›