E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngre siparin Festivali Ndërkombëtar “Skampa 2025”, marrin pjesë nëntë trupa teatrore

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa 2025” nisi mbrëmë edicionin e tij të 27-të, duke sjellë magjinë e artit teatror në zemër të Elbasanit.

“Skampa 2025” sjell një larmi performancash nga vende të ndryshme të botës të cilët do të ngjiten në skenë nga 2-6 tetor. Gjithsej do të jenë 9 trupa të ndryshme teatrore, mes të cilave, trupat e ardhura nga teatri shtetëror turk, ai i Ankarasë dhe i Stambollit, si dhe trupat nga Greqia, Kosova, Lituania, Serbia e Shqipëria.

Nuk do të mungojnë gjithashtu, si në çdo edicion tjetër, edhe seminaret, ekspozitat fotografike dhe promovimet e librave mbi vlerat teatrore.

Mbrëmja e parë solli në skenë shfaqjen “Medea – Material”, nga Teatri Shtetëror i Ankarasë dhe ai i Stambollit. Teksti i Heiner Müller-it, i prezantuar për herë të parë në turqisht, ndërthur mitologjinë, historinë, kujtimet dhe ëndrrat, duke krijuar një tapiceri poetike që rrëmbeu vëmendjen e publikut dhe e bëri natën të paharrueshme. Performanca vizuale, ritmi i hollësishëm dhe interpretimi i fuqishëm i aktorëve krijuan momente të thella reflektimi dhe emocioni, duke bërë që çdo spektator të ndihej pjesë e një dialogu të drejtpërdrejtë me artin.

“Vlerësimi për të bukurën në të gjitha format e saj, si dhe dëshmia se arti i gjallë mbetet forca më e madhe për të reflektuar mbi botën tonë të ndërlikuar, janë synimi i këtij festivali, për të na lidhur me njëri-tjetrin dhe për të mirëpritur ndryshimin”, tha në konferencën për shtyp, themeluesi dhe drejtuesi artistik i festivalit, Adonis Filipi.

Festivali zhvillohet nën mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Bashkisë së Elbasanit, dhe në bashkëpunim me Qendrën e Artit Elbasan, Ambasadën Greke në Shqipëri, Institutin e Kulturës Turke “Yunus Emre” – Tiranë, Universitetin e Arteve, Teatrin “Metropol” – Qendra Kulturore Tirana, dhe partnerë të tjerë kulturorë.

1 nga 8

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›