“Nipër për një ditë”, nisma e të rinjve të Elbasanit që gëzon gjyshërit që jetojnë vetëm

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ditët e fundit të vitit, duket se kanë qenë ndryshe për të moshuarit që jetojnë vetëm në fshatrat e Elbasanit.
Në Bradashesh, Papër, Gracen, Funar, Labinot-Fushë dhe Labinot Mal, dhjetëra të moshuar u vizituan nga të rinjtë e këtyre zonave në ditët e fundit të vitit duke përçuar një atmosferë krejt ndryshe dhe të veçantë, që surprizuan dhe gëzuan këtë shtresë që vuan ikjen dhe largimin e të rinjve në emigracion.
Nismës së të rinjve socialistë të zonës së Shkumbinit të Sipërm iu bashkua edhe deputetja e zonës, Sara Mila.
Disa momentet nga kjo nismë, ajo i ka postuar edhe në rrjetet e saj sociale. “Kam përqafuar dhjetëra gjyshe e gjyshër të vetmuar në skaje të largëta, ku ndoshta rrallë shkon zëri i festës, por ku emocioni është gjithmonë i vërtetë. Bashkë me të rinj të mrekullueshëm, vendosëm t’ua çonim festën. Por ajo që morëm ishte shumë më tepër: sy që ndriçonin, duar që dridheshin nga gëzimi, dhe një ndjenjë e fortë se prania jonë kishte peshë, se dikush kishte ardhur posaçërisht për ta”, shprehet deputetja Mila.
Prezenca, koha e kaluar së bashku me të rinjtë në këto familje nuk sollën vetëm atmosferën e fundvitit, por rikthyen ndjesinë e të kujtuarit për këdo.
“Ata kanë nevojë më shumë për prezencë sesa për dhurata, për kohë, për vëmendje. Këto ditë më mësuan se festa e vërtetë nuk është kalendari, as dritat, as zhurma. Festa është prania. Është koha që i fal dikujt. Është dashuria që nuk pret asgjë mbrapsht. Këto përqafime do të më shoqërojnë shumë gjatë”, shkruan më tej deputetja, e cila ka mbështetur idenë dhe realizimin e kësaj ideje.
Një nismë që më shumë se gjithçka kërkon të kthejë vëmendjen tek komuniteti dhe mbajtja gjallë e lidhjeve mes tij, por edhe afrimit të brezave. Dhe për të na kujtuar të gjithëve si shoqëri, se përveç gotave që trokasim me njëri-tjetrin në festa të tilla, një kujtesë sado simbolike për ata që kemi afër, nuk është kurrë tepër.
1 nga 4/a.f/r.e/