E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis “Korça Serenights”, serenatat më të bukura ndër vite, për tre netë me radhë

Edicioni i dytë i Korça Serenights ka nisur në Pazarin e Vjetër, aty ku ka performuar Laxarela Band, duke sjellë për publikun disa nga këngët më të bukura të serenatave ndër vite.

“Kjo natë për mua është një mrekulli. Jo se nuk janë bërë serenata, por stafi i këtij edicioni ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme. A është fat apo është rastësi, por unë këtu kam kënduar me të madhin Pandi Raidhi. Ndihem sot sikur po këndoj për herë të parë. Serenata më mbush, serenata më ka mbajtur gjallë, serenata më ka bërë këngëtare. Janë tre netë të mrekullueshme me këto këngë që ne këngëtarët e kemi për zemër t’i këndojmë të gjitha,” u shpreh Laxarela.

Nata e dytë e këtij festivali të serenatës do të zhvendoset në ambientet e liceut, ku publiku do të shijojë performancat e Mimoza Paravelit, Ëndërr Serenatë Band, Jorgjeta Lalazit, bandit “Hani i Pazarit”, e do të mbyllet me tingujt e Cofiel Band.

Ndërkohë, në natën e tretë, Pazari i Vjetër do të gjallërohet me tingujt e artistëve më në zë shqiptarë në një mbrëmje gala. Koncerti do të hapet nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe më pas publiku do të mbërthehet nga interpretimet e artistëve Frederik Ndoci, Eli Fara, vëllezërve korçarë Endri dhe Stefi Prifti, Mihallaq Andrea, Ermira Kola e Bledi Polena.

Ky festival zhvillohet nën drejtimin artistik të Mjeshtrit të Madh Josif Minga dhe kurimin e Blerta Belliut.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›