Nis ndërtimi i Bypass-it të Shëngjinit – Investim i FSHZH-së, punimet zgjatin 18 muaj

Ka nisur puna për ndërtimin e bypass-it të qytetit të Shëngjinit, një investim shumë i mirëpritur nga komuniteti që, sipas zv.kryetarit të Bashkisë, Fatjon Zefi, sjell impakt pozitiv në lehtësimin e trafikut gjatë sezonit të verës dhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë të bregdetit të Lezhës.
“Duke qenë se Lezha gjatë sezonit turistik ka qenë e ngarkuar me trafik, duke filluar nga Miloti deri në Balldren, bypass-i do të jetë një lehtësim për të gjitha ato mjete që kanë pasur destinacion Velipojën ose Ranën e Hedhun, përfshirë edhe Shëngjinin,” tha Zefi.
Ky segment rrugor, me gjatësi 8.1 km, është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kap vlerën 11 milionë euro.
Afati i përfundimit të këtij investimi me rëndësi publike shtrihet në një hapësirë kohore prej 18 muajsh, por me avancimin e deritanishëm të punimeve, synohet që ky segment rrugor të jetë i aksesueshëm me fillimin e sezonit turistik të vitit që vjen.
Punohet njëkohësisht në të dy kahet e këtij bypass-i, i cili do të lidhet me rrugën e re Shëngjin–Velipojë.
Gazetar: Rr. Lelçaj
/rtsh.al/