Nis pastrimi i plazhit të Velipojës – Mbetjet, si rezultat i ndotjes së lumenjve dhe përrenjve në territor

Në Velipojë ka nisur një operacion i gjerë pastrimi pas prurjeve të shumta që kanë sjellë një sasi të konsiderueshme mbetjesh në bregdet.
Ekipet e shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër dhe tre fadroma të Ndërmarrjeve të Bashkisë janë angazhuar në terren, duke punuar intensivisht për pastrimin e gjithë brezit ranor.
“Bashkia Shkodër është sot me të gjithë punonjësit e saj në një aksion masiv për pastrimin e të gjithë sipërfaqes së rërës në plazhin e Velipojës. Të gjitha strukturat janë angazhuar për të pastruar plazhin”, u shpreh Alban Preka, Zëvendëskryetar, Bashkia Shkodër.
Sipas autoriteteve vendore, mbetjet e sjella nga prurjet janë rezultat i ndotjes së lumenjve dhe përrenjve në territor, çka tregon se çdo ndotje e hedhur në mjedis përfundon sërish në natyrë dhe në zonat tona turistike.
Institucionet apelojnë për rritje të përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit fillon nga veprimet e përditshme të çdo qytetari. Bashkia Shkodër nga ana e saj do të vijojë punën deri në pastrimin e plotë të zonës.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/