E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis plotësimi i formularit “DIVA”, kompesim për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve të moshës nën 18 vjeç

Nga 22 janari deri më 31 mars është afati i plotësimit të Deklaratës Individuale mbi të Ardhurat Vjetore (DIVA).

Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim, për individët me të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë, si dhe zbritjen e shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve në vlerë 100 mijë lekë në vit.

“Nga kjo deklaratë, nga shuma totale e saj zbritet në masën prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim. Gjithashtu njihen edhe shpenzimet shkollore në masën prej 100 mijë lekësh. Shpenzimet duhet të jenë të dokumentuara, për tarifën apo pagesën e shkollës,” – u shpreh Prof. As. Dr. Antoneta Polo, pedagoge në Fakultetin Ekonomik Gjirokastër.

Në një çift bashkëshortësh, të drejtën për zbritjen e shpenzimeve për fëmijët në ngarkim dhe për arsimimin, nëse plotësohet kufiri i të ardhurave, e ka prindi me të ardhura më të larta vjetore.

DIVA është e detyrueshme për të gjithë individët që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

“Duhet të kenë të ardhura vjetore bruto mbi 1.2 milionë lekë, të jenë të dy-punësuar, si dhe të gjithë ata individë që kanë të ardhura vjetore deri në 500 mijë lekë, por që nuk janë të tatueshme në burim”, tha Polo.

Ligji parashikon gjithashtu mundësinë e korrigjimit të deklaratës. Individi mund të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore, nëse konstatohet ndonjë pasaktësi në të dhënat e deklaruara.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›