Skema Kombëtare 2026, Salla dëgjesa publike me fermerët. Rama: T’i kthejmë nevojat reale të fermerëve në politika konkrete

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Agjencinë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, zhvilloi takime të hapura me fermerët e Librazhdit, Përrenjasit, Pogradecit, Korçës, Maliqit, Kolonjës, Devollit dhe Pustecit, duke prezantuar Skemën Kombëtare 2026 dhe duke dëgjuar propozimet që vijnë drejtpërdrejt nga terreni.
Ky proces konsultimi synon që nevojat reale të fermerëve të kthehen në politika konkrete, duke ndërtuar një sektor bujqësor më të fortë, më konkurrues dhe të përgatitur për standardet e Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar pamje nga takimet e Ministrit Salla, shkruan se bujqësia ndërtohet bashkë me fermerët.
“Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Agjencinë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, në dialog të drejtpërdrejtë me fermerët e Librazhdit, Përrenjasit, Pogradecit, Korçës, Maliqit, Kolonjës, Devollit dhe Pustecit, për Skemën Kombëtare 2026 dhe propozimet që vijnë drejtpërdrejt nga terreni. Në çdo qark, për t’i kthyer nevojat reale të fermerëve në politika konkrete, sepse bujqësia ndërtohet bashkë me fermerët dhe vetëm kështu forcojmë sektorin, rrisim konkurrueshmërinë dhe ecim drejt standardeve të BE-së”, shkruan Rama.
/rtsh.al/