E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis seanca, Gjykata e Vlorës vendos për fatin e bashkëpunëtorëve të dyshuar të Flodian Plakut

Në Gjykatën e Vlorës ka nisur sot seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të ndaluar gjatë operacionit të zhvilluar në Orikum, ku u arrestua edhe Flodian Plaku, 42 vjeç, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Gentian Bejtjas.

Të ndaluarit janë:

Albano Lapshi, i cili dyshohet se i çonte ushqim Flodian Plakut gjatë kohës që ai fshihej;

Armando Dano, berber nga Shkodra;

Ligor Doko, pronar i hotelit ku u arrestua Plaku;

Julian Aliaj, i kapur me armë zjarri me vete, i dënuar më parë për trafik droge.

Prokuroria e Vlorës ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të katërt, nën dyshimin se kanë ndihmuar Flodian Plakun gjatë kohës që ai ishte në kërkim, si dhe për posedim të armës pa leje dhe përfshirje të mundshme në veprimtari kriminale.

Ndërkohë, për vetë Flodian Plakun, Gjykata e Tiranës ka caktuar më herët masën e sigurisë “arrest me burg”. 42-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Mamo dhe Serjani, u kap nga Forcat Operacionale disa ditë më parë në Orikum, si pjesë e hetimeve për vrasjen e Gentian Bejtjas.

Para trupit gjykues, Plaku ka mohuar akuzat, duke deklaruar:
“Nuk kam lidhje me ngjarjen, kam përdorur një Golf para 10 ditësh, prandaj erdhi policia tek unë.”
Ai u mbrojt nga avokati i caktuar kryesisht, Edvis Gorishti, i cili kërkoi një masë më të butë sigurie, por kërkesa u refuzua nga gjykata.

Seanca në Vlorë për katër të ndaluarit pritet të përcaktojë masat e sigurisë individuale për secilin, ndërsa hetimet për ngjarjen dhe lidhjet e tyre me Flodian Plakun vijojnë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›