Nis sezoni i mbjelljes së misrit në Maliq- Fermerët optimistë, kushtet këtë vit konsiderohen të favorshme

Ka nisur sezoni i mbjelljes së misrit në fushën e Maliqit, një nga zonat më të rëndësishme bujqësore në vend. Fermerët kanë dalë në terren për të kryer mbjelljet, duke përfituar nga kushtet e mira të motit dhe lagështia e përshtatshme në tokë.
Edhe specialistët e bujqësisë theksojnë rëndësinë e respektimit të afateve të mbjelljes që janë nga 15 prill deri në 15 maj, edhe pse këtë vit mbjellja nisi disa ditë më herët si shkak i kushteve të favorshme, si dhe përdorimit të farërave të certifikuara për të garantuar rendiment të lartë.
“Kushtet agroteknike janë mjaft optimale, si temperatura e tokës, e ajrit dhe lagështia në tokë. Deri tani, fermerët janë shumë të kënaqur,” tha Aurel Zenunllari, përgjegjës i sektorit të Bujqësisë dhe Ushqimit në Bashkinë Maliq.
Nëse moti vijon i qëndrueshëm, pritet që prodhimi i misrit këtë vit të jetë i kënaqshëm si në sasi, ashtu edhe në cilësi. Vitin e kaluar, në këtë bashki u mbollën rreth 4100 HA me misër.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/