Nis shembja e ndërtimeve pa leje në Theth, Rama publikon pamjet: Prokurorja refuzoi hetimin, krimineli nuk ka kurajën të shfaqet

Pas denoncimit të bërë sot në një takim me mediat dhe në rrjetet sociale lidhur me ndërtimet pa leje në fushën e Thethit, Kryeministri Edi Rama publikoi më vonë një video live në Facebook, ku tregonte aksionin e IKMT-së për shembjen e ndërtimeve të paligjshme.
Në reagimin e tij, Rama përsëriti akuzat ndaj prokurores Elsa Gjeli, e cila sipas tij, ka refuzuar të nisë hetimet për këto ndërtime, duke injoruar denoncimin e bërë nga Policia e Shtetit.
“Ja, shikojeni vetë LIVE nga Thethi,” shkruan Rama në postimin e tij, duke shtuar:
“Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një person, pa asnjë leje ndërtimi, ka betonizuar një sipërfaqe të tërë për të ngritur ‘fshatin e tij turistik’. Ndërkohë, ai vetë nuk ka pasur as guximin të shfaqet, teksa IKMT po zbaton ligjin. Për këtë shkelje të rëndë, prokurorja Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë një çështje penale, duke hedhur poshtë denoncimin e Policisë.”
/vizionplus.tv