Nis shpërndarja e bonusit të verës, mbi 33 mijë pensionistë e tërhoqën në ditën e parë

Ka nisur shpërndarja e bonusit të verës për pensionistët. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se deri në orën 16:00 të ditës së parë të shpërndarjes, 33,119 pensionistë kanë tërhequr bonusin prej 5,000 lekësh.
Ibrahimaj theksoi se ky është bonusi i parë i akorduar në mesin e vitit dhe se ai është pjesë e angazhimit të qeverisë për të mbështetur pensionistët.
“Bonusi po shpërndahet së bashku me pagesën e pensionit dhe do të përfitohet nga 777,200 pensionistë dhe përfitues të skemave të pensioneve dhe trajtimeve të veçanta financiare”, shkruan Ibrahimaj.
Shpërndarja e bonusit do të vijojë sipas kalendarit të pagesave të pensioneve, deri në përfitimin e tij nga të gjithë personat që përfshihen në skemë. Ndërkohë që po nga dita e sotme, 1 korrik, ka nisur dhe indeksiomi i pensioneve me 2.7 %.
Bonusi do të përfitohet nga të gjitha kategoritë e 777.200 pensionistëve, përfshirë 656.325 pensionistë të pleqërisë dhe pensionit social, 65.636 përfitues të pensionit të invaliditetit, 48.400 përfitues të pensionit familjar, si dhe 6.840 përfitues të trajtimeve të veçanta financiare. Efekti financiar i kësaj mase është rreth 3,7 miliardë lekë.
/rtsh.al/