E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisen të gjithë zarfet me fletëvotime për votim jashtë Kosovës

PRISHTINË, 24 shtator /ATSH/ Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë vetës detyrë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale.  Ky shërbim pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Në mbledhjen e mbajtur sot nga KQZ, u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për Zgjedhjet Lokale. Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.

Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.

Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.

Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se të gjitha zarfet me fletëvotime tashmë gjinden jashtë territorit të Kosovës.

Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlenë vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›