E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nisma “Male të Pastra” në Tamarë, Selcë dhe Lëpushë

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Nisma e “Maleve të Pastra” synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh sot se kjo nismë është ndalur në rrugën “Gryka e Lugjeve – Qafë Thore”, si edhe në Tamarë, Selcë dhe Lëpushë.

Kumbaro tha se “stafi i AKZM Shkodër, AKZM Lezhë, Bashkia Malësi e Madhe, institucionet vendore, organizata dhe biznese lokale dhanë një kontribut të çmuar për Parkun Kombëtar të Alpeve”.

Ditën e djeshme, aksioni “Male të Pastra” u ndal në Korçë, ku grupet e punës në terren pastruan portën hyrëse të Prespës  me punë konkrete, për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara.

Gjithashtu, një tjetër aksion pastrimi është ndërmarrë nga AKZM-ja në Novosej të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, ku skuadrat e punës janë në terren për të dhënë kontributin e tyre për një mjedis sa më të pastër.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›