Rrezikuan të mbyteshin në det në zonën e Gramës, policia shpëton tre pushuesit

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Policia Kufitare e Himarës shpëtoi tre pushues që rrezikuan të mbyteshin në det pasi skafi i tyre pësoi defekt gjatë lundrimit.
Sipas njoftimit të policisë “mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit të marrë nga Salla Operative e DRKM Vlorë, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë punën për t’i shkuar në ndihmë një mjeti lundrues skaf në zonën e Gramë-Brisanit”.
“Pas kërkimeve, u bë i mundur lokalizimi i skafit që kishte pësuar defekt teknik dhe po përmbytej. Në bord ndodheshin 3 shtetas, të cilët u morën dhe u shoqëruan me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, drejt bregut, në gjendje të mirë shëndetësore”, njoftoi policia.
Policia njoftoi se pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të Policisë Kufitare për ta tërhequr dhe për ta nxjerrë skafin në breg, ai u fundos në det.
/m.q/j.p/