Operacioni “Jackpot”, nën hetim 4 persona në Tiranë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Policia zbuloi sot dy ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Policia njoftoi se në kuadër të operacionit policor i koduar “Jackpot”, u proceduan penalisht 4 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
“Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
“Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njoftoi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/