E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisma për një Shkodër të gjelbër – Të rinjtë angazhohen për gjelbërimin e hapësirave publike në qytet

Rreth 70 të rinj iu bashkuan nismës “Urban Farming”, e zhvilluar në rrugën “Isuf Sokoli” në Shkodër, me synimin për të promovuar kujdesin ndaj mjedisit dhe për të nxitur një qytet më të gjelbër. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim mes Qendrës Rinore “Atelie”, Act4Shkodra dhe Bashkisë Shkodër.

Të rinjtë u angazhuan në mbjelljen e pemëve dhe gjelbërimin e zonës, duke dhënë një mesazh të qartë për rëndësinë e veprimit konkret në mbrojtje të mjedisit.

“Një zonë e cila ishte e bllokuar nga ndërtimet pa leje, Bashkia Shkodër i ka hapur këto hapësira për komunitetin dhe të rinjtë po japin shembull për ti kthyer qytetit një hapësirë”, u shpreh Edita Shoshi, Drejtore për Shërbimet Sociale dhe Rininë, Bashkia Shkodër.

Disa prej të rinjve aktivistë e konsideruan nismën si një mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e hapësirave publike.

“Ka disa hapësira që janë liruar dhe janë shumë të domosdoshme për të mbjellë pemë për komunitetin”, tha një nxënës.

“Po mbjellim që të kemi më shumë gjelbërim në qytetin tonë”, tha një nxënëse.

Nisma “Urban Farming” vjen si një thirrje për më shumë angazhim qytetar, duke përcjellë një model se ndryshimi nis nga veprimi dhe se një pemë e mbjellë sot është një investim për të nesërmen.

Gazetar: M. Gjini        

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›