“Një lidership i lidhur me krimin e organizuar”/ PPE e përfshin Shqipërinë mes 4 prioriteteve globale

Partia Popullore Evropiane ka përfshirë Shqipërinë në katër prioritetet e saj globale, të cilat u prezantuan gjatë punimeve të Asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar (CDI) të mbajtur në Sao Paolo të Brazilit, ku merr pjesë si organizatë anëtare edhe Partia Demokratike.
Sipas eurodeputetes dhe sekretares së përgjithshme të PPE-së, Dolors Montserrat, procesi i integrimit evropian i vendit duhet të mbetet i kushtëzuar nga respektimi i standardeve demokratike dhe garantimi i pavarësisë institucionale.
“Ne insistojmë që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të kushtëzohet me ndalimin e rrëshqitjes demokratike dhe kapjes së mediave dhe drejtësisë, të kryera nga një lidership i lidhur me trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave”, është shprehur Montserrat.
Qëndrimi i PPE-së, sipas Partisë Demokratike, përbën një sinjal të qartë politik në drejtim të institucioneve evropiane dhe autoriteteve shqiptare, duke nënvizuar rëndësinë e rikthimit në standardet të shtetit të së drejtës, transparencës dhe pavarësisë së sistemit mediatik e gjyqësor.
Gjatë zhvillimeve të asamblesë së Unionit Demokratik Ndërkombëtar, kreu i PD-së Sali Berisha u zgjodh zv. president i CDI-së.
LEXO EDHE: Berisha zgjidhet Zv.President i CDI, Unionit më të madh botëror të partive të djathta