“Çështja e Detit”/ Greqi-Shqipëri, bisedimet rifillojnë më 16 dhjetor

Shefi i diplomacisë greke Giorgos Gerapetritis ka hartuar një plan të ri veprimi për marrëdhëniet me Tiranën zyrtare, plan që do t’ia paraqesë më 16 dhjetor homologes së re shqiptare Elisa Spiropali në të parën vizitë në Athinë.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, lidhshmëria mes të dyja shteteve fqinjë dhe ndarja e kufirit detar janë në axhendën e Gerapetritis për takimin e dhjetorit.
Udhërrëfyesi i ri Athinë–Tiranë u hartua, sipas mediave greke, pas rizgjedhjes së Edi Ramës për një mandat të katërt qeverisës, me premtimin popullor për anëtarësim të vendit në BE, deri në vitin 2030.
Greqia dhe Shqipëria kishin rënë dakord që në vitin 2020 ta paraqisnin mosmarrëveshjen për delimitimin e zonave ekonomike detare në detin Jon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por kjo çështje dypalëshe ka mbetur ende pezull.
Shqipëria do të ketë nevojë që të mbështetet te fqinji jugor edhe për faktin se plani i saj për përfundimin e bisedimeve të pranimit në BE deri në vitin 2027, përkon me kohën kur Greqia do të mbajë presidencën e Këshillit Evropian.
Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, u ka paraqitur homologëve evropianë qëllimin e vendit të tij për të ndërmarrë, në kuadër të presidencës greke, një iniciativë që do të përshpejtonte rrugën e shteteve ballkanike drejt familjes evropiane.
Kjo sipas tij do të kishte rëndësi për këtë rajon për shkak të tensioneve dhe nacionalizmave në rritje.