E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njohja nga Siria, Spiropali: Kosova po fiton vendin e merituar në familjen e madhe të kombeve

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, uroi sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Spiropali theksoi se Kosova po fiton vendin e merituar në familjen e madhe të kombeve.

“Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar, por edhe mbështetjes së miqve e partnerëve, të cilët e kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtetndërtimit”, shkruan Spiropali.

Gjithashtu ministrja falënderon me këtë rast edhe “Lartësinë e tij Mbretërore, Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje”.

“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Edhe njëherë, urime Kosovë!”, shkruan ministrja.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pas njohjes nga dy shtetet afrikane, Sudani dhe Kenia. Para tyre, shteti i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Izraeli në vitin 2021. Siria është bërë tani shteti i 120-të që e njeh Kosovën.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›