Java Kulturore Spanjolle, nga 3 deri më 7 nëntor

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Java Kulturore Spanjolle do të gjallërojë kryeqytetin nga datat 3 deri më 7 nëntor, duke premtuar një atmosferë sa argëtuese, aq edhe edukative.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ftoi qytetarët që të përgatiten “për një javë të mbushur me ngjyra, tinguj dhe shije nga Spanja”.
“Nga prezantimi i librit “Anatomia e një çasti” me përkthyesin Bashkim Shehu, te kërcimi i flamengos me Lucía La Bronce, kinemaja bashkëkohore spanjolle, degustimi i verërave të kantinës “Emilio Moro”, tapaset tradicionale dhe deri te koncerti i kitaristit Denis Bizhga – çdo mbrëmje është një udhëtim kulturor që ngjall emocion dhe pasion”, shkruan Gonxhja.
Javët Kulturore Ndërkombëtare zhvillohen në një moment të veçantë pasi Tirana mban titullin e Kryeqytetit Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin 2025. Megjithatë, jo vetëm Tirana, e gjithë Shqipëria është gati të përjetojë muaj magjikë.
Java Ndërkombëtare Kulturore e Spanjës vjen pas përfundimit të javës austriake.
Me 20 shtete pjesëmarrëse, një numër gjithnjë e më të madh artistësh vendas dhe ndërkombëtarë, dhe një kalendar të pasur me aktivitete nga veriu në jug, Javët Kulturore Ndërkombëtare promovojnë dialogun ndërkulturor dhe sjellin popujt më pranë njëri-tjetrit.
/m.q/j.p/