E Hënë, 2 Nëntor 2026

SUDAN – OBSH: Të paktën 460 të vrarë pas sulmeve të RSF-së

GJENEVË, 29 tetor /ATSH-DPA/- Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka shprehur tronditje pas raporteve se më shumë se 460 pacientë dhe anëtarë të familjeve ishin vrarë në një maternitet – pas pushtimit të qytetit sudanez të al-Fashir nga Milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

“Të gjithë pacientët, personeli shëndetësor dhe institucionet shëndetësore duhet të mbrohen sipas Ligjit Ndërkombëtar Humanitar”, shkroi sot Tedros Adhanom Ghebreyesus në X.

Milicia e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) mori kontrollin e qytetit në rajonin e Darfurit, gjatë fundjavës.

Sipas Rrjetit të Mjekëve Sudanezë, të paktën 1 500 civilë të paarmatosur u vranë ndërsa përpiqeshin të largoheshin.

Mjekët akuzojnë RSF-në për gjenocid ndaj popullsisë jo-arabe të vendit.

Gjenocidi përkufizohet si shkatërrimi i qëllimshëm dhe sistematik i një grupi bazuar në kombësinë, etninë ose fenë e tij, qoftë tërësisht ose pjesërisht.

RSF tha se donte të mbronte civilët në al-Fashir dhe të siguronte korridore të sigurta për banorët që donin të largoheshin.

Që nga prilli i vitit 2023, vendi i Afrikës Lindore është përfshirë në një luftë të përgjakshme për pushtet midis sundimtarit de facto, Abdel Fattah al-Burhan dhe ish-zëvendësit të tij Mohammed Hamdan Daglo, i cili komandon RSF-në.

Në Darfur, çështja kryesore është konkurrenca për tokë dhe ujë midis grupeve etnike tradicionale nomade arabe dhe komuniteteve jo-arabe sedentare.

Rreth 300 000 civilë jetojnë në al-Fashir, i cili u rrethua nga RSF-ja për më shumë se 500 ditë.

Ekspertët kanë kritikuar qeveritë perëndimore për mosvendosjen e sanksioneve ndaj shteteve që mbështesin milicinë rebele, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar çdo ndërhyrje në konflikt. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›