PD depoziton në Kuvend kërkesën për komision hetimor “McGonigal”, kërkohet verifikimi i veprimeve të Ramës dhe Duçkës

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike (PD) ka depozituar zyrtarisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal. Kërkesa, e nënshkruar nga më shumë se 35 deputetë, detyron Kuvendin të miratojë ngritjen e Komisionit sipas Kushtetutës.
Objekti i Hetimit
Komisioni kërkohet të hetojë dy pika kryesore:
- Verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama dhe ish-këshilltarin Dorian Duçka, në kontaktet dhe marrëdhëniet me McGonigal dhe bashkëpunëtorin e tij, Agron Neza.
- Vlerësimi i nevojës për ndërhyrje ligjore për të garantuar integritetin dhe ndershmërinë në raportet e zyrtarëve shqiptarë me zyrtarët e huaj.
Akuzat kryesore të PD
Në materialin e detajuar të depozituar në Kuvend, opozita argumenton nevojën e ngritjes së Komisionit bazuar në akt-padinë e Gjykatës së Distriktit të Kolumbias kundër McGonigal, i cili pranoi fajësinë.
Faktet e cituara nga PD, sipas kërkesës, tregojnë një konflikt interesi që përfshijnë fillimisht takimet dhe paratë.
“McGonigal udhëtoi në Shqipëri me Agron Neza dhe u takua personalisht me Kryeministrin Edi Rama dhe Dorian Duçkën. Ai pranoi se mori gjithsej 225,000 dollarë nga Neza dhe fshehu këto marrëdhënie nga autoritetet amerikane.”, thuhet në dokumentin e PD-së.
PD dyshon se McGonigal nxiti Kryeministrin Rama “të ishte i kujdesshëm në dhënien e licencave për nxerrjen e naftës… të kompanive ruse,” pasi Neza dhe Duçka kishin interes financiar të drejtpërdrejtë në vendimet e qeverisë shqiptare. Kjo, sipas PD-së, u shpërblye me dhënien e koncesionit për fushat naftëmbajtëse kompanisë ku ishte i lidhur McGonigal.
Sipas dokumenteve të cituara nga PD, McGonigal u angazhua në një hetim penal ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike, duke vepruar me informacion të marrë nga zyra e Kryeministrit dhe Dorian Duçka.
Partia Demokratike propozon që Komisioni të ketë një afat veprimtarie prej gjashtë muajsh dhe të përbëhet nga 11 anëtarë, ku kryetari dhe katër anëtarë të jenë nga PD dhe gjashtë anëtarë nga Partia Socialiste.
PD thekson se ky hetim parlamentar është një “kompetencë kushtetuese” e pakicës dhe ka për qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe parandalimin e fenomeneve negative, pa u zëvendësuar me hetimet penale të Prokurorisë.
/rtsh.al/