E Enjte, 5 Nëntor 2026

Panairi Klik Ekspo Group, ekspertët: Sfida nuk është vetëm tërheqja e kapitalit, por krijimi i besimit te investitorët - ATSH -

TIRANË, 4 nëntor /ATSH/ Tërheqja e investimeve të huaja nuk varet vetëm nga potenciali ekonomik i një vendi, por mbi të gjitha nga siguria që ai u ofron investitorëve për të zhvilluar aktivitetin e tyre në një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Ky ishte një nga mesazhet kryesore të panelit “Investing in Albania and the Western Balkans”, zhvilluar më 4 nëntor, në kuadër të ditës së dytë të Panairit të 32-të Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Ekspo Group.

Diskutimi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve, ekspertë të financimit dhe investitorë, të cilët analizuan avantazhet konkurruese të Shqipërisë, pengesat që vijojnë të ndikojnë në vendimmarrjen e investitorëve të huaj, si dhe sektorët ku vendi ka potencial për të tërhequr kapital me ndikim afatgjatë në ekonomi.

Drejtoresha e Drejtorisë së Investimeve të Huaja, Partneriteteve dhe Kërkimit në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Sara Zotaj, vuri në dukje se pozicioni gjeografik i Shqipërisë përbën një nga avantazhet kryesore për investitorët, duke e pozicionuar vendin si një portë lidhëse me tregjet evropiane. Ajo evidentoi gjithashtu potencialin në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, falë njohjes së gjuhëve të huaja dhe burimeve njerëzore të kualifikuara, si dhe lehtësitë fiskale për sektorë të caktuar.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas saj, është kuadri ligjor për mbrojtjen e investimeve të huaja. Shqipëria ka më shumë se 40 marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e investimeve, ndërsa legjislacioni parashikon edhe mekanizma për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes arbitrazhit.

Zotaj theksoi se AIDA po punon për ta kthyer interesin ndërkombëtar në projekte konkrete. Si shembull përmendi një aktivitet të zhvilluar në muajin tetor, të dedikuar sektorit të mikpritjes, ku morën pjesë 14 marka ndërkombëtare hotelerie, të cilat zhvilluan takime me operatorë dhe investitorë vendas. Ajo nënvizoi gjithashtu interesin e kompanive të huaja në sektorët e energjisë dhe teknologjisë së informacionit, duke e cilësuar procesin e tërheqjes së investimeve si një angazhim që kërkon vazhdimësi dhe bashkëpunim mes institucioneve dhe biznesit.

Nga perspektiva e financimit ndërkombëtar të projekteve, Chaudhary Naeem, këshilltar për bankim dhe financim projektesh theksoi se kapitali i huaj kërkon më shumë sesa mundësi tërheqëse fitimi. Sipas tij, investitorët dhe institucionet financiare kanë nevojë për rregulla të qëndrueshme, parashikueshmëri, siguri juridike dhe infrastrukturë që u mundëson realizimin e investimeve. Ai solli në vëmendje edhe rëndësinë e mekanizmave që mbrojnë investitorët nga luhatjet e kursit të këmbimit, veçanërisht në projektet që financohen në euro apo dollarë.

Një tjetër aspekt i ngritur gjatë diskutimit ishte përgatitja e projekteve përpara se ato t’u prezantohen investitorëve ndërkombëtarë. Planet e biznesit, modelet financiare, parashikimet e të ardhurave dhe njohja e tregut duhet të jenë të qarta dhe të argumentuara. Për projektet në hoteleri, për shembull, nuk mjafton vetëm një investim në një strukturë moderne, por nevojiten edhe operatorë me përvojë, menaxhim profesional dhe standarde që krijojnë besim te partnerët ndërkombëtarë.

Profesor Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë, president i Universitetit Evropian të Tiranës dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u ndal te nevoja për të ndryshuar strukturën e investimeve të huaja në vend. Ai vuri në dukje se, pas Serbisë, Shqipëria renditet e dyta në rajon për nga vëllimi i investimeve të huaja direkte, por theksoi se rëndësi të veçantë ka edhe sektori ku këto investime përqendrohen.

Sipas Xhepës, përqendrimi i konsiderueshëm i kapitalit në pasuri të paluajtshme dhe sektorë të tjerë që lidhen kryesisht me tregun vendas nuk mjafton për të rritur konkurrueshmërinë e ekonomisë. Vendi ka nevojë për më shumë investime në prodhim dhe industri, të cilat mund të rrisin eksportet, të krijojnë vende pune me vlerë më të lartë dhe ta integrojnë Shqipërinë në zinxhirët ndërkombëtarë të prodhimit.

Ai theksoi se përmirësimi i sundimit të ligjit, funksionimi efikas i gjykatave, ulja e korrupsionit dhe cilësia e shërbimeve publike janë kushte themelore për një klimë të shëndetshme investimesh. Sipas tij, ulja e taksave dhe ofrimi i stimujve fiskalë nuk mund të zëvendësojnë këto elemente. Përkundrazi, konkurrenca mes vendeve për të ofruar gjithnjë e më shumë lehtësi fiskale rrezikon të dobësojë të ardhurat që nevojiten për investime publike dhe infrastrukturë.

Në këtë kontekst, Xhepa e cilësoi procesin e integrimit evropian si një mundësi të rëndësishme për ekonominë shqiptare, pasi anëtarësimi në tregun e përbashkët do të krijonte kushte më të mira për konkurrencë, stabilitet ligjor dhe tërheqje të kapitalit të huaj. Megjithatë, ai nënvizoi se përfitimet nuk janë automatike dhe kërkojnë reforma që garantojnë rregulla të barabarta për të gjithë operatorët ekonomikë.

Nga këndvështrimi i financimit të bizneseve, Dorin Rama, CEO i Crimson Finance Fund Albania, u ndal te sfidat që hasin ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të siguruar financim. Ai theksoi se institucionet financiare vlerësojnë jo vetëm pasqyrat financiare dhe planet e biznesit, por edhe mënyrën se si sipërmarrësit menaxhojnë aktivitetin dhe rrezikun.

Sipas Ramës, shumë biznese shqiptare janë të afta të identifikojnë mundësi të reja në treg, por hasin vështirësi kur aktiviteti i tyre fillon të zgjerohet. Rritja e detyrimeve të papaguara nga klientët, investimi i fitimeve në aktivitete që sipërmarrësit nuk i njohin mjaftueshëm dhe mungesa e një menaxhimi të kujdesshëm financiar mund të rrezikojnë qëndrueshmërinë e kompanive. Ai theksoi se një biznes që kërkon financim duhet të ketë njohje të mirë të tregut, pritshmëri realiste për rritjen dhe një qëllim të qartë për përdorimin e fondeve.

Sa i përket sektorëve me potencial, Rama evidentoi veçanërisht turizmin mjekësor, duke përmendur aftësitë e personelit shëndetësor, investimet në teknologji dhe çmimet konkurruese. Ai vlerësoi gjithashtu mundësitë që ofron industria prodhuese, megjithëse për zhvillimin e saj nevojiten më shumë burime njerëzore të kualifikuara.

Në përfundim, diskutimi evidentoi një mesazh të përbashkët: Shqipëria ka avantazhe gjeografike, potencial në disa sektorë dhe interes nga investitorët ndërkombëtarë, por sfida kryesore mbetet kthimi i këtij interesi në investime konkrete dhe të qëndrueshme. Për ta arritur këtë, nevojitet bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve dhe sektorit privat, projekte të përgatitura sipas standardeve ndërkombëtare, institucione të besueshme dhe një mjedis ku investitorët të kenë siguri për kapitalin e tyre. Paneli u moderua nga Omer Saraçi dhe ishte pjesë e Forumit të Biznesit dhe Industrisë në kuadër të TIF32, i cili zhvillohet në Tiranë në datat 3–6 nëntor 2026.

Paneli “Investing in Albania and the Western Balkans”, në kuadër të ditës së dytë të Panairit t...

1 nga 4

/e.i/j.p

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›