E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nufi: Shqipëria po rrit kapacitetet e mbrojtjes, investime të reja në kuadër të angazhimeve të NATO-s

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se samiti i NATO-s në Ankara ishte një nga takimet më të rëndësishme të Aleancës në vitet e fundit.

Në një intervistë për Euronews Albania, i pyetur për zhvillimet e Samitit të NATO-s, Nufi u shpreh se ky samit shkoi shumë mirë dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm për Aleancën, pasi angazhimet e marra në Samitin e Hagës për rritjen e shpenzimeve ushtarake tashmë hyjnë në fazën e zbatimit konkret.

Sipas ministrit, ndryshe nga Samiti i Hagës, ku u përcaktuan objektivat për shpenzimet e mbrojtjes, Samiti i Ankarasë ishte një mundësi ku vendet anëtare riafirmuan angazhimet e tyre dhe shprehën vendosmërinë për përmbushjen e detyrimeve ndaj Aleancës.

“Samiti i Ankarasë ishte një samit që mori angazhime shumë të forta nga të gjitha shtetet anëtare lidhur me shpenzimet ushtarake dhe përmbushjen e detyrimeve në raport me Aleancën. Ishte një samit që garantoi jo vetëm unitetin e NATO-s, por edhe vendosmërinë e saj për të qenë gjithmonë e gatshme përballë çdo situate, në mbrojtje të vlerave që e bashkojnë këtë Aleancë”, tha Nufi.

Ministri u ndal edhe te koncepti i “NATO 3.0”, duke shpjeguar se Aleanca ka kaluar në faza të ndryshme të zhvillimit të saj.

“NATO 1.0 ishte Aleanca që i bëri ballë Luftës së Ftohtë. NATO 2.0 ishte një periudhë relativisht më e qetë sa i përket sigurisë. Sot jemi në një NATO 3.0, një doktrinë e re e nxjerrë në pah nga administrata amerikane dhe e përqafuar nga vendet anëtare”, u shpreh ai.

Sipas Nufit, NATO e sotme është një aleancë më e vendosur për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe për të garantuar reagim ndaj krizave të ndryshme globale.

“Flasim për një Aleancë e cila sot më shumë se kurrë është e vendosur që jo vetëm të realizojë shpenzimet ushtarake deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por edhe të jetë e gatshme për çdo skenar të mundshëm”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se bota aktualisht përballet me një sërë krizash dhe konfliktesh, duke përmendur situatat në Lindjen e Mesme, Jemen, Afrikë dhe rajone të tjera, të cilat sipas tij kërkojnë një Aleancë të angazhuar dhe të aftë për të reaguar.

Nufi vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e vendeve të rajonit Indo-Paqësor në takimet e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s, duke përmendur Japoninë, Korenë e Jugut, Australisë dhe Zelandës së Re.

“Fakti që këto vende ishin të pranishme në ministerialin e mbrojtjes në Ankara tregon një afrim shumë të fortë. Janë vende demokratike që ndajnë të njëjtat vlera dhe të njëjtin vizion për sigurinë ndërkombëtare”, tha ai.

Ministri theksoi se në një kohë kur situata globale karakterizohet nga polarizimi dhe kriza të shumta, NATO mbetet aleanca më e fuqishme ushtarake në botë.

“Në këtë situatë, ne vazhdojmë të besojmë fort te kjo Aleancë. Republika e Shqipërisë nuk ka ndërmend të ndalet në përmbushjen e angazhimeve të saj ndaj NATO-s”, tha Nufi.

Ai bëri të ditur se Shqipëria po punon për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në përputhje me angazhimet e marra në Samitin e fundit të NATO-s në Hagë, ku vendet aleate ranë dakord për objektivin e shpenzimeve prej 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Sipas ministrit, akti normativ i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 2.2% të PBB-së, të lidhura me kapacitete ushtarake, infrastrukturën e mbrojtjes, sistemet e mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Ai shtoi se pjesë e këtyre investimeve janë edhe shpenzimet për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe elementët e tjerë që lidhen me sigurinë kombëtare.

Nufi, deklaroi se Shqipëria po vijon angazhimet e saj në kuadër të NATO-s, duke u fokusuar në rritjen e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zhvillimin e infrastrukturës së mbrojtjes.

Duke folur për Korridorin VIII, Nufi tha se procesi përfshin dy shtylla kryesore: infrastrukturën civile rrugore dhe atë ushtarake.

“Pjesa e infrastrukturës ushtarake është pjesë e kapaciteteve të kërkuara nga NATO për Republikën e Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes, në planin e vet të zhvillimit, ka parashikuar shpenzime që lidhen me blerjen e sistemeve antiraketore, qendrave mobile, pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe lëvizshmërisë përgjatë korridoreve të mobilitetit”, u shpreh ministri.

Sipas tij, këto investime janë pjesë e planeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të kontribuojnë në garantimin e mobilitetit, sigurisë dhe funksionimit të pandërprerë të korridoreve strategjike.

Duke folur për vlerësimin e Shqipërisë nga aleatët, Nufi theksoi se vendi, edhe pse i vogël, ka qenë gjithmonë i angazhuar në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të Aleancës.

“Shqipëria është vlerësuar për angazhimin e saj në NATO, për kontributin në misionet e Aleancës dhe për përpjekjet për rritjen e kapaciteteve ushtarake”, tha ai.

Ministri u ndal edhe te angazhimet financiare të Shqipërisë në kuadër të objektivave të reja të NATO-s, duke deklaruar se vendi synon të arrijë nivelin e 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2035.

“Ne kemi marrë një angazhim që deri në vitin 2035 të kemi 5% të PBB-së për shpenzime të lidhura me mbrojtjen. Këto do të ndahen respektivisht në 3.5% për shpenzime specifike të mbrojtjes dhe 1.5% për shpenzime të tjera të lidhura me mbrojtjen”, deklaroi Nufi.

Ai bëri të ditur se objektivat e Ministrisë së Mbrojtjes lidhen me rigjenerimin e armatimit, modernizimin e mjeteve ushtarake dhe zhvillimin e sistemeve të reja mbrojtëse.

Sipas ministrit, gjendja aktuale e Forcave të Armatosura është e mirë, por mbetet ende punë për t’u bërë.

“Situata në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë mund të konsiderohet e mirë. Nuk do të thosha shumë mirë, sepse nuk duhet të mburremi dhe të mendojmë se kemi arritur gjithçka. Por ajo që është e vërtetë është se gjendja aktuale është e mirë”, u shpreh ai.

Nufi nënvizoi se investimet në mbrojtje po orientohen drejt modernizimit të Forcave të Armatosura me sisteme të kohës së fundit, në përputhje me kërkesat dhe standardet e NATO-s.

Ai theksoi se Shqipëria nuk ndjek një qasje individuale për sigurinë, por një qasje kolektive brenda Aleancës.

“Republika e Shqipërisë nuk ka një qasje individuale në raport me mbrojtjen, por një qasje kolektive në kuadër të NATO-s. Të gjitha vendet aleate funksionojnë brenda një kuadri të përbashkët strategjik, ku kapacitetet përcaktohen dhe koordinohen nga Aleanca”, tha ministri.

Sipas tij, zhvillimi i kapaciteteve ushtarake, investimet në mbrojtje dhe angazhimet e vendeve aleate përbëjnë garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve.

“NATO është një aleancë që garanton sigurinë e rreth një miliard njerëzve, të cilët jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në një mjedis më të sigurt falë angazhimeve të përbashkëta të vendeve anëtare”, theksoi Nufi.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›