E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nuk është AI, Fotoja mahnitëse zbulon 1.400 satelitë mbi Zelandën e Re

Një fotografi e pazakontë që tregon mijëra satelitë duke përshkuar qiellin e natës mbi Zelandën e Re ka tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve në internet.

Pamja krijon vija të panumërta të bardha në horizontin e errët, duke rezultuar aq mbresëlënëse sa shumë persona e akuzuan autorin për përdorim të Inteligjencës Artificiale.

Sipas raportimit të gazetës The Guardian, fotografi Brendan Larsen kaloi dy orë duke fotografuar qiellin e natës mbi malin Taranaki, në Ishullin Verior të Zelandës së Re.

51-vjeçari shpjegoi se e kishte programuar kamerën për të realizuar fotografi tetësekondëshe me një interval prej dy sekondash ndërmjet tyre. Gjatë kësaj kohe ai realizoi gjithsej 578 fotografi.

“E lashë të punonte për dy orë dhe bëra 578 foto… Kjo ishte pjesa e lehtë”, tha ai.

Megjithatë, sfida më e madhe erdhi pas përfundimit të fotografimit. Larsen kaloi rreth 40 orë duke kombinuar fotografitë individuale në Adobe Photoshop. Secila prej tyre përmbante rreth 25 satelitë, ndërsa pjesa më e madhe e punës u përqendrua në heqjen e yjeve për të nxjerrë në pah vetëm gjurmët e satelitëve.

“Fillova ta shihja modelin që po shfaqej dhe kuptova: ‘Uau, kjo duket vërtet mahnitëse’. E dija që, nëse do të vazhdoja, do të dukej edhe më mirë dhe më mbresëlënëse për sa i përket numrit të satelitëve”, tregoi ai.

Fotografia përfundimtare paraqet rreth 1.400 satelitë dhe afërsisht 14.000 gjurmë të tyre, të cilat formojnë një model shumë të dendur mbi malin Taranaki.

Pasi u publikua në rrjetet sociale, imazhi u bë shpejt viral, duke i sjellë autorit rreth 15.000 ndjekës të rinj dhe dhjetëra milionë shikime dhe komente.

Megjithatë, një pjesë e përdoruesve pretenduan se fotografia ishte krijuar me Inteligjencë Artificiale. Në reagimin e tij, Larsen theksoi se zhvillimi i teknologjive të gjeneruara nga AI e ka bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes imazheve reale dhe atyre të krijuara artificialisht, veçanërisht për personat që nuk janë të njohur me astrofotografinë ose me vendndodhjen e fotografuar.

Ai e cilësoi këtë situatë si zhgënjyese dhe shtoi se është irrituese të shohë fotografinë e tij të shkarkohet dhe të rikrijohet nga programe të Inteligjencës Artificiale, shpesh me gabime të dukshme.

Sipas fotografit, puna e tij mund të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit publik për mbrojtjen e qiellit të natës dhe në krijimin e një mbështetjeje më të madhe për ruajtjen e tij.

View this post on Instagram

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›