E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk u gjet konsensus për Presidentin e ri, Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës, shpall zgjedhjet e reja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës pasi partitë politike nuk arritën të gjejnë konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri brenda afatit ligjor, duke e çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se vendimi erdhi pasi deputetët nuk arritën të përmbushin detyrimet kushtetuese. Sipas saj, situata ishte e evitueshme, por përfaqësuesit politikë nuk arritën të vendosin interesin e shtetit mbi interesat partiake.

Ajo bëri të ditur se, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja, pas konsultimeve me partitë politike.

“Jam këtu para jush, sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosen që të dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme, është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjedhën interesin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës kam nxjerr dekretin për shpërndarje të Kuvendit, dhe nëpërmjet këtij dekreti po e kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë. Kam nxjerrë një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, deputetët vendosen të mos i kryejnë detyrat kushtetuese. Kam vendosur të shpall zgjedhjet e reja pas konsultimeve me partitë politike”, tha Osmani në një konferencë për shtyp.

Një ditë më parë, seanca e Kuvendi i Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri dështoi të zhvillohej për shkak të mungesës së kuorumit. Numri i deputetëve të pranishëm në sallë nuk ishte i mjaftueshëm për të vazhduar procesin, duke e lënë vendin pa një zgjidhje institucionale.

Në mungesë të propozimeve nga grupet e tjera parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar kandidatët Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, por votimi nuk u zhvillua për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykata Kushtetuese e Kosovës për të kërkuar interpretim lidhur me situatën e krijuar politike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›