E Diel, 1 Nëntor 2026

OTAVË – Kanadaja: Vetëm Danimarka dhe Groenlanda mund të vendosin për të ardhmen e ishullit

OTAVË, 6 janar /ATSH/- Kryeministri kanadez, Mark Carney tha se e ardhmja e Groenlandës do të varej “vetëm” nga populli i Danimarkës dhe Groenlandës, sipas “Reuters”.

Deklarata e Carney erdhi pas pretendimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe anëtarëve të administratës së tij për të aneksuar Groenlandën.

“Ka parime themelore këtu, që është vetëvendosja e kombeve, sovraniteti, integriteti territorial. Dhe pastaj ka qasje që kemi si partnerë për atë që po përpiqemi të arrijmë”, tha Carney gjatë një konference për shtyp në Ambasadën Kanadeze në Paris të martën.

“Si NATO, ne mund të ofrojmë siguri për të gjithë aleancën, përfshirë Groenlandën”, tha Carney.

Kryeministri Carney shtoi se Kanadaja dhe anëtarët e tjerë të NATO-s po punonin për të rritur sigurinë e Arktikut ndërsa mjedisi i kërcënimeve globale ndryshon dhe ndërsa Rusia dhe Kina avancojnë në ujërat polare.

Carney u takua sot në mëngjes me kryeministren daneze, Mette Frederiksen në Paris – përpara një takimi të aleatëve të Ukrainës për të diskutuar garancitë e sigurisë për Kievin.

Frederiksen falënderoi Carney për mbështetjen dhe angazhimin e tij për të punuar së bashku – si aleatë të NATO-s.

“Mendoj se të dy jemi shumë të përkushtuar ndaj sigurimit të rajonit të Arktikut dhe së bashku me aleatët e tjerë të NATO-s mund ta sigurojmë rajonin”, tha ajo.

Trump foli hapur për aneksimin e Groenlandës të dielën dhe të hënën.

Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller tha se Groenlanda duhej të ishte pjesë e SHBA-së, pavarësisht paralajmërimit të Frederiksen se marrje e kontrollit nga SHBA-ja do të shënonte fundin e NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›