E Diel, 1 Nëntor 2026

“One Battle After Another” triumfon në Oscars 2026

LOS ANXHELOS, 16 mars /ATSH/ – Filmi “One Battle After Another” i regjisorit amerikan Paul Thomas Anderson u shpall Filmi më i Mirë në ceremoninë e 98-të të çmimeve Oscar, duke kurorëzuar një sagë komike shumëbreznore mbi rezistencën politike në SHBA.

Mbrëmja e së dielës shënoi gjithashtu momente historike dhe fitore të rëndësishme për disa nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane. Filmi i Anderson fitoi gjashtë çmime Oscar, përfshirë Regjinë më të Mirë dhe Skenarin më të Mirë të Adaptuar për vetë regjisorin, Çmimin e parë për “casting”, si dhe Aktori më i Mirë në rol dytësor për Sean Penn, i cili nuk ishte i pranishëm në ceremoni.

“E shkrova këtë film për fëmijët e mi, për t’u kërkuar falje për rrëmujën që u kemi lënë në këtë botë,” tha Anderson gjatë marrjes së çmimit për skenarin. “Por edhe me shpresën se ata do të jenë brezi që do të sjellë më shumë arsye dhe dinjitet.”

Një tjetër fitues i madh i mbrëmjes ishte filmi “Sinners” i regjisorit Ryan Coogler, një histori vampirësh e vendosur në epokën e Jim Crow, e mbushur me atmosferë blues. Filmi, që kishte marrë 16 nominime, fitoi disa çmime të rëndësishme.

Kinematografja Autumn Durald Arkapaw bëri histori duke u bërë gruaja e parë që fiton Oscar për kinematografinë dhe gjithashtu personi i parë me ngjyrë që triumfon në këtë kategori. Ajo u bë gruaja e katërt e nominuar ndonjëherë për këtë çmim.

“Dua që të gjitha gratë në sallë të ngrihen në këmbë,” tha Arkapaw në skenë. “Nuk do të isha këtu pa ju.”

Ndërkohë, Michael B. Jordan fitoi çmimin Aktori më i Mirë, në një nga garat më të ngushta të mbrëmjes, duke marrë ovacionin më të madh në Dolby Theatre. “Hej, mami, si je?” tha ai me humor pasi u ngjit në skenë.

Në kategorinë e Aktores më të Mirë, triumfoi Jessie Buckley për rolin e Agnes Shakespeare në filmin “Hamnet”, duke u bërë artistja e parë irlandeze që fiton këtë çmim.

Mbrëmja i përkiste në mënyrë të veçantë studios Warner Bros., e cila me filmat “One Battle After Another” dhe “Sinners” arriti 11 çmime Oscar, duke barazuar një rekord historik për një studio në një ceremoni të vetme.

Fitoret erdhën në një moment të ndjeshëm për industrinë e filmit, pasi Warner Bros. ka rënë dakord së fundmi për një marrëveshje shitjeje prej 111 miliardë dollarësh me Paramount Skydance, një zhvillim që ka shtuar shqetësimet për ristrukturime dhe shkurtime vendesh pune në Hollywood.

Megjithatë, suksesi i dy filmave të mëdhenj të sezonit , “Sinners” dhe “One Battle After Another”, të dy projekte origjinale me buxhet të madh dhe vizion personal artistik, u pa  si një shenjë shprese për të ardhmen e industrisë së kinemasë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›