Operacion i gjerë policor në Lumin e Vlorës, disa të arrestuar dhe persona në kërkim

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar mbrëmjen e së hënës në zonën e Lumit të Vlorës, ku deri tani raportohet për disa persona të arrestuar, ndërsa të tjerë janë shpallur në kërkim nga autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, mes të arrestuarve ndodhet edhe një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar katër armë zjarri të llojit pistoletë, si dhe një automjet të blinduar.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se aksioni lidhet me ngjarjen e ndodhur më 7 qershor në Vlorë, ku mbeti i plagosur 27-vjeçari Kevi Lazaj.
Në kuadër të kësaj çështjeje, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe Turi Aligjoni, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Policia pritet të dalë me një njoftim zyrtar për të zbardhur detajet e plota të operacionit, identitetet e personave të arrestuar dhe akuzat që rëndojnë ndaj tyre.