E Hënë, 2 Nëntor 2026

Operacion shpëtimi në Ferras/ Forcat e Armatosura evakuojnë familjen, mes tyre një i sëmurë në gjendje të rëndë

Situata e rënduar nga moti i keq në jug të vendit ka sjellë ndërhyrje urgjente të forcave të emergjencës.

 Në fshatin Ferras të Levanit, Forcat e Armatosura, në bashkëpunim me ekipet e emergjencës, kanë realizuar një operacion shpëtimi për një emigrante që kishte ardhur për të vizituar të atin e saj të sëmurë rëndë.

Operacioni u krye me gomone, pasi rruga automobilistike është mbuluar nga uji si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosa.

Autoritetet njoftuan se gjatë ndërhyrjes u transportuan edhe një nënë me fëmijën e saj dhe një i afërm, të cilët u dërguan në banesën e babait të sëmurë.

Forcat e ushtrisë siguruan ndihmën e parë për të sëmurin dhe mundësuan mbërritjen e familjarëve pranë tij, ndërsa uji vijon të mbulojë rrugën automobilistike, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal.

“Një nënë së bashku me fëmijën dhe një të afërm të saj u transportuan me gomone, për të mbërritur në banesën e babait të saj, i cili është i sëmurë rëndë. Operacioni u krye nga forcat e ushtrisë, ndërsa për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa, uji ka mbuluar rrugën automobilistike duke e bërë të pamundur qarkullimin normal”- raporton gazetarja e RTSH, Laureta Roshi

Ndërkohë, për shkak të rrezikut të lartë nga përmbytjet, autoritetet kanë bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm në Njësinë Administrative Novoselë, duke theksuar se situata paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Strukturat e emergjencës civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në terren për të menaxhuar pasojat e përmbytjeve dhe për të garantuar sigurinë e banorëve në zonat e prekura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›