Rama: Situata në Novoselë nën monitorim të plotë, institucionet në gatishmëri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me situatën e krijuar në Njësinë Administrative Novoselë, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit nga reshjet e dendura të rëna gjatë natës dhe orëve të fundit.
Sipas Kryeministrit, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga ekipet e Bashkisë Vlorë dhe institucionet e tjera shtetërore. Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhet në gatishmëri të plotë.
Ai theksoi se autoritetet janë të përgatitura për të asistuar banorët në rast nevoje për evakuim, si dhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive.
Në njoftimin e tij, Rama u bën thirrje banorëve të zonës që të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave përgjegjëse në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës.
Gjithashtu, janë vënë në dispozicion numra kontakti për çdo emergjencë:
Emergjencat Civile: +355 69 213 9738
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike: +355 69 541 9296
Ujësjellës-Kanalizime: +355 69 572 3432
Institucionet mbeten në ndjekje të vazhdueshme të situatës për të garantuar sigurinë e banorëve.
/rtsh.al/