E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Ekipet në terren për mbështetjen e banorëve dhe evakuimin e bagëtive

Situata e rënduar nga reshjet intensive të shiut ka vënë në gatishmëri strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të cilat po punojnë në terren për të mbështetur banorët dhe për të evakuuar bagëtitë e rrezikuara nga përmbytjet.

Ministri Andis Salla, i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se qëllimi kryesor është parandalimi i dëmeve në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë.

Gjatë inspektimit në urën e Mifolit në Fier, Salla tha se disa banorë nuk kanë pranuar të evakuohen, ndaj ndërhyrja po bëhet në bashkëpunim me Emergjencat Civile.

“Bordi i Kullimit në këtë qark është në terren me 16 ekskavatorë, duke punuar për riparimin e argjinaturave dhe ndërhyrje të shpejta me mjete të rënda për parandalimin e përmbytjeve,” u shpreh ministri. Ai shtoi se hidrovoret funksionojnë me kapacitet të plotë dhe po monitorohet çdo zhvillim për të mbrojtur banorët dhe pronat e tyre.

Ministri theksoi se ekipet e bashkive janë pranë banorëve për të evidentuar dëmet dhe për të mbështetur çdo familje të prekur me dëmshpërblim. Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë gjatë evakuimit për të shmangur rreziqet e mundshme.

Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, deklaroi se bashkia është në gatishmëri të plotë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura.

“Jemi të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të asistuar banorët, si në rast evakuimi, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive,” tha Mersini, duke u bërë thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›