Operacioni “Koordinata”, asgjësohen 1800 fidanë kanabis në Bulqizë

TIRANË, 10 qershor /ATSH/ Rreth 1800 fidanë të dyshuar kanabis sativa janë zbuluar në Bulqizë në malin e fshatit Okshtun.
Policia njoftoi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinata” “si rezultat i kontrolleve të intensifikuara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në malin e fshatit Okshtun u evidentua një parcelë me rreth 1800 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa”.
Sipas policisë “gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë u arrestua në flagrancë shtetasi A.K., 19 vjeç, banues në Fushë-Krujë”.
“Në vijim të operacionit u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi A.Z., 21 vjeç, banues në Fushë-Krujë (bashkëpunëtor me të arrestuarin)”, njoftoi policia.
Policia bëri me dije se “fidanët dhe bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ku një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”.
“Vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale. Operacioni antikanabis “Koordinata” vijon”, njofton policia.
/m.q/a.f/