E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni në Maliq/ Në një zonë pyjore në malin Boden, ja vendi ku mbeti i vrarë efektivi i Shqiponjave dhe u plagos kolegu i tij

Një operacion i policisë për kapjen e një personi në kërkim ka përfunduar tragjikisht me vrasjen e një efektivi të Shqiponjave dhe plagosjen e kolegut të tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, kur shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari, i shpallur në kërkim dhe i dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetarët e RTSH në Korçë, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë në zonën e Lozhanit në malin Boden të Bashkisë Maliq, në një terren të vështirë malor e pyjor për kapjen e të kërkuarit. Pasi kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari, policia i ka bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej.

Braçellari nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar dhe ndodhet në spital.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›