Operacioni në Sarandë, Hita: Zero tolerancë ndaj lidhjeve me grupet kriminale, do ketë përjashtime nga Policia

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, me fokus forcimin e sigurisë publike, zbatimin e ligjit dhe rritjen e reagimit operacional të policisë në terren.
Gjatë takimit, Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë një reagim të menjëhershëm për përmirësimin e situatës dhe të perceptimit të qytetarëve ndaj punës së policisë.
Ai e cilësoi të papranueshme situatën në Sarandë, ku u arrestuan shefi i Komisariatit, tre specialistë të tjerë dhe u pezullua shefi i Seksionit të Krimeve, pas një ndërhyrjeje që filloi kundër betonizimit të bregdetit, duke theksuar se përgjegjësia për të është drejtpërdrejtë e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ndërsa kërkoi reflektim institucional dhe rikthim të besimit të qytetarëve.
“Cilido që mban lidhje apo favorizon grupet kriminale dhe elementët me rrezikshmëri të lartë shoqërore do të përjashtohet nga Policia dhe do të përballet me drejtësinë”, u shpreh ai, duke paralajmëruar masa të ashpra ndaj çdo abuzimi apo përfshirjeje të mundshme.
Drejtori i Përgjithshëm kërkoi angazhim të shtuar në goditjen e grupeve kriminale, armëmbajtjes pa leje, kapjen e personave në kërkim, si dhe luftën kundër trafikut të narkotikëve dhe çdo veprimtarie tjetër që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Ai theksoi gjithashtu se ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe kërkoi koordinim të ngushtë me institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e territorit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua sigurisë në shkolla, të cilën Hita e cilësoi prioritet absolut, duke kërkuar angazhim maksimal deri në përfundim të vitit shkollor, si dhe përdorim të informacionit operacional për parandalimin e çdo rreziku ndaj nxënësve.
Në lidhje me rendin rrugor, ai kërkoi forcim të kontrolleve nga Policia Rrugore dhe patrullat e përgjithshme, duke vënë theksin te shkeljet që shkaktojnë kaos në qarkullim, parkimet e gabuara dhe automjetet e modifikuara në mënyrë të paligjshme.
Forca e Posaçme “Shqiponja”, sipas tij, duhet të rrisë praninë në terren, ndërsa Policia Kufitare duhet të intensifikojë kontrollet për parandalimin e krimeve ndërkufitare dhe monitorimin e kufirit jeshil dhe mjeteve lundruese.
Drejtori i Përgjithshëm paralajmëroi gjithashtu se çdo kërcënim apo presion ndaj punonjësve të policisë do të denoncohet dhe do të përballet me ligjin.
Në përfundim të takimit, ai kërkoi që Policia e Sarandës të rikthehet në standardet e kërkuara përmes profesionalizmit, reagimit në kohë dhe zbatimit të paanshëm të ligjit, veçanërisht në prag të sezonit turistik.
/rtsh.al/