Opozita mbyll fushatën, Gjikuria: Himara do të çlirohet në 4 gusht

Kandidati opozitës së bashkuar për bashkinë e Himarës Petraq Gjikuria deklaroi të premten se të dielën do të përfundojmë me sukses rrugëtimin për të sjellë në Himarë ndryshimin e madh për të gjithë.
Në fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës për zgjedhjet në bashkinë e Himarës, Gjikuria tha se Himara dhe himariotët kanë shumë vite, por sidomos vitin e fundit, që janë në një trysni politike, mediatike dhe administrative të paimagjinueshme.
“Himara për shkak të votës së pro ndryshimit u ndëshkua duke mos lejuar që vota dhe vullneti i saj të lexohej e të mos zbatohej. Fredi është në burg edhe e gjithë Himara është e burgosur. Fredi do të lirohet për dy muaj, kurse Himara do të çlirohet në 4 gusht. Himara nxori euro-deputetin e parë dhe u integrua e para”, nënvizoi Gjikuria.
Më tej ai foli për 3 shtyllat e qeverisjes së punës së tij, nëse fiton zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Himarës.
“Tre shtyllat e programit tim janë qeverisje me përkushtim dhe ndershmëri; qeverisje për komunitetin dhe në bashkëpunim me komunitetin; bashkëpunim me këdo faktor politikë socialë- ekonomikë për interesin e Himarës dhe banorëve të saj”, u shpreh Gjikuria.
Ai tha se “bashkia që unë do të drejtoj do të jetë pro pronarëve të ligjshëm dhe autoktonë, kush ka pronë ta marr ndershmërisht e ta marrë e ta gëzojë të gjitha këto prona do të regjistrohen ne kadastër”.
Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme në Himarë, u bëri thirrje komunitetit himariot ti besojë votën Petraq Gjikurisë, kandidatit të koaliconit opozitar “Bashkë Fitojmë”. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Himara fitoi njëherë me Fredi Belerin dhe është thirrur për të fituar sërisht më 4 gusht.
“Do të jemi prezent me ju derisa të numërohet vota e fundit dhe do të garantojmë që vota juaj do të vendosë. Vota juaj do të shkojë për Petro Gjikurinë. Është vitit 2024 dhe këtu nuk ka ujë, në Piqeras nuk ka ujë. Është mesi i sezonit. Prandaj dhe nuk vjen të kërkoi votën. S’ka bërë asgjë në 11 vite.”, tha Noka.
“Ju e refuzuat njëherë sepse ai nuk është kujdesur asnjë ditë të qeverisjes së tij për ju. Shpresa e tij është të blejë dhe vjedhë votën. Ju do të votoni në 4 gusht sepse ju në zgjedhjet e para fituat. Kryetari juaj i ligjshëm ishte Fredi Beleri, por i sajuan prova për ta arrestuar. Ai mendoi se me burgosjen e Fredi Belerit do tu burgoste ju. Por sot jemi këtu dhe Fredi Beleri përfaqëson çdo qytetar të ndershëm dhe të lirë të këtij vendi dhe është deputeti i parlamentit europian.”, tha Noka.
Gjatë mitingut përmbyllës, ishte i pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Ai theksoi se Himara do ti japi të dielën përgjigjen e duhur atyre që duan t’ju marrin tokat tuaja.
“Ju nuk do të lejoni që t’ju marrin tokat tuaja. Kanë sjell jabanxhinjë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë për të votuar në Himarë. Si mund të fyesh ti Himariotët duke sjell votues të importuar. Himara është vetëm e himariotëve. Vetëm himariotët do ti japin përgjigjen e merituar këtij regjimi”, tha Blushi.
Kandidati i koaliconit opozitar “Bashkë Fitmojmë”, përballë në zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë Himarë të 4 gushtit, do të ketë kandidatin e Partisë Socialsite, Vangjle Tavon.
/rtsh.al/