Zgjedhjet, Rama me Tavon takojnë banorët e Himarës: Hapim një kapitull të ri zhvillimi

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kandidati socialist për Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, kanë takuar qytetarët e zonës dy ditë para zgjedhjeve të 4 gushtit.
Kryeministri premtoi një kapitull të ri zhvillimi dhe bashkëpunimi mes himarjotëve me Tavon.
“Ky nuk bën fushata, ky bën komunikim me njeriun derë më derë e prag më prag. Pas Gramoz Ruçit ky është I dyti që ka numëratorin më të gjatë të telefonit. Po i çove mesazh, direkt të merr në telefon. Gramozi nuk shkruan mesazhe, ky shkruan”, deklaroi kryeministri.
Legalizimi i pronave do të jetë sfida e radhës për bashkinë jugore dhe deri në tetor shtëpitë e Himarës do të jenë të regjistruara, shtoi Rama.
“Me Vangjelin kemi folur që mbas tetorit do të fillojmë me pjesën tjetër, më të vështirë, por jo të pamundur. Këtu nuk ka historira ekstremistësh. Ata që e përdorin ekstremizmin politik e përdorin për interesa materiale. Siç janë disa zona në Shqipëri, edhe këtu problemi është menaxhimi i hartave për pronat. Procesi ka qenë i fragmentuar dhe vendosja në hartë e pronave, për shtëpitë njëherë, ka marrë shumë kohë. Gjëja që jua them në mënyrë të përsëritur: mos u besoni as sekserëve, as ndërmjetësve, sepse do të kenë kosto shumë të lartë,” deklaroi kreu i qeverisë.
Kandidati socialist tha se çështja e certifikimit nuk ka qenë pjesë e fushatës së tij, pasi e ka konsideruar një të drejtë që duhej përfituar që nga viti 1991.
“Në fund të tetorit do jenë shtëpitë, pastaj gjithë pronat e tjera. Në çdo takim që kam bërë, me çdo himarjot, ka mbaruar historia e atyre që e kanë shfrytëzuar Himarën për interesa private. Këtu nuk është çështje gjuhe. Ne jemi në gatishmëri jo vetëm për të fituar betejën e së dielës, por që Himara dhe himarjotët të ndiejnë ndryshimin,” u shpreh Tavo.
Vangjel Tavoja kandidon për kryetar të Bashkisë së Himarës përballë kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.
Më 4 gusht do të mbahen zgjedhjet për zgjedhjen e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, ndërsa dita e nesërme është heshtje zgjedhore. Më 27 korrik u çel fushata zgjedhore për kryebashkiakun e Himarës, një prej fushatave më të shkurtra të zhvilluara ndonjëherë.
Këto zgjedhje mbahen vetëm për kryetarin e bashkisë, pas dënimit të Fredi Belerit me dy vite burg për blerje votash.
Vangjel Tavo, kandidati i Partisë Socialiste do renditet i pari në fletën e votimit, ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Petro Gjikuria do të jetë i renditur i dyti për t’u zgjedhur nga rreth 22 mijë zgjedhësit e regjistruar në bashki.
Rama: Turizmi është rritur. Kritere të reja për shfrytëzimin e plazheve
Kryeministri Rama mohoi pretendimet se ka një rënie të numrit të turistëve në vend krahasuar me flukset e viteve të kaluara.
Ai paralajmëroi politika të reja për ta rregulluar më tej zhvillimin e turizmit.
“Shqiptarët e Kosovës, në fakt, nga janari kanë ardhur më shumë sesa vjet. Janë 130 mijë mjete më shumë. Ne patjetër duhet të rishikojmë politikën e plazheve, politikën vertikale 30 për qind privat-publik. Do të vendosim një tjetër kriter për tërheqjen e çadrave dhe shezlongëve privatë, duke u zvogëluar numrin. Do të garantojmë që vija e detit të jetë e lirë për publikun. Së dyti, do të vendosim një kriter tjetër për kontributin që duhet të japë çdo operator për bashkinë: jo vetëm krevati, por edhe një kontribut i veçantë ‘city tax’. Gjithashtu sistemi për gjurmimin e xhiros me fiskalizim. Çmimet e restoranteve do të jenë të njohura që në hyrje dhe jo të jenë fakt i kryer pas hyrjes,” u shpreh Rama.
/rtsh.al/