Orban: Ukraina e ka kaluar vijën me ne, na ka vendosur në shënjestër

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili njihet si aleati politik evropian i Presidentit të SHBA-së Donald Trump ka akuzuar Ukrainën se sipas tij, e ka “kaluar vijën” në raport me vendin e tij.
“Udhëheqja ukrainase e kaloi vijën. Ne nuk kërkuam konflikt, megjithatë prej ditësh Hungaria ka qenë në shënjestër. Megjithatë, as kërcënimet nga presidenti, as nga ministri i Jashtëm, as nga grupet ushtarake ekstremiste nuk do të na pengojnë të mbrojmë interesat e hungarezëve”, shkruan Orban në rrjetin social ‘X’.
Orban tha se Hungaria si aleate e NATO-s, nuk do t’i dërgojë para Ukrainës, e cila po lufton kundër Rusisë, në një luftë që po i afrohet përvjetorit të katërt.
Gjithashtu, ai tha se Hungaria nuk do të lejonte ndalimin e importeve të naftës dhe gazit rus, të cilin Bashkimi Evropian (BE), anëtar i të cilit është Budapesti, ka rënë dakord ta bëjë deri në vitin 2027.
Hungaria është veçanërisht e varur nga gazi rus për energjinë e saj. Për më tepër, Orban tha se do të kërkonte të bllokonte pranimin e shpejtë të Ukrainës në BE – një proces që sipas tij, po “shkel” ligjin e BE-së pasi “do të thoshte importimi i luftës gjithashtu”.
“Për sa kohë që Hungaria ka një qeveri patriotike, vendimet për këto çështje nuk do të merren në Kiev dhe as në Bruksel”, tha Orban.
/rtsh.al/