Orë edukative për mbrojtjen e mjedisit, ADZM aktivitete ndërgjegjësuese me nxënësit

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura vijon zhvillimin e orëve edukative me nxënësit e shkollave të qytetit dhe zonave përreth, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore. Drejtori i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura bëri të ditur se gjatë këtyre orëve edukative, nxënësit njihen me rëndësinë e zonave të mbrojtura.
“Gjatë këtij viti janë organizuar 29 orë mjedisore, ku rreth 570 nxënës kanë marrë informacione rreth mjedisit. Fokusi ka qenë pemët mjedisore, informimi mbi faunën dhe florën që ndodhet brenda zonave të mbrojtura dhe si të sillemi në natyrë. Mirëmbajtja e shtigjeve dhe të gjitha këto bëhen në kuadër të sensibilizimit për një mjedis të pastër.”
Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi me institucionet arsimore është shumë i mirë dhe po forcohet vazhdimisht.
“Çdo vit hartojmë kalendarin mjedisor dhe e përshtatim me festat mjedisore që janë gjatë vitit, por edhe gjatë javës me shkollat. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha shkollat brenda parkut ku janë zhvilluar këto aktivitete.”
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura vlerëson se këto orë edukative janë një investim i rëndësishëm për të ardhmen, pasi synojnë edukimin e brezit të ri me vlerat e ruajtjes së natyrës.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/