E Diel, 1 Nëntor 2026

Organizohet për herë të parë Festivali i Shkencës për gjimnazistët

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri me dije sot, se për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Festivali i Shkencës.

Gjatë një takimi maratonë me drejtuesit e shkollave të DRAP Tiranë në Ministrinë e Arsimit, Kumbaro tha se ka nisur puna për të sjellë një event krejt të ri, një festival kombëtar kushtuar teknologjisë, shkencës dhe inovacionit për të gjitha shkollat e mesme publike.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide të bukura dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shtoi se puna në Ministrinë e Arsimit, në Agjencinë e Kurrikulave dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar ka filluar që në muajin nëntor.

“E kemi gati programin. Po fillon një garë shumë e bukur në shkencat natyrore: fizikë, kimi, teknologji, informacion, ku praktikisht kemi parë që kemi shumë talente dhe të rinj që janë gati për të marrë pjesë në një garë të nivelit kombëtar. Në këtë garë duam të përfshijmë universitetet, sektorin privat që të na mbështesë në një aktivitet ku garuesit do të jenë gjimnazistët tanë”, tha Kumbaro.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›