E Diel, 1 Nëntor 2026

Orkestra Simfonike e RTSH – Koncert i veçantë me kryeveprat e Beethoven

Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Sallën e Universitetit të Arteve, ku Orkestra Simfonike e RTSH-së solli për publikun një koncert  me kryeveprat e pavdekshme të kompozitorit Ludëig van Beethoven.

Koncerti  mblodhi një numër të madh artdashësish, të cilët përjetuan emocionet e muzikës klasike në një atmosferë të  bukur.

Në program u interpretua “Triple Koncerti, Op. 56” për violinë, violonçel dhe piano, një vepër që kërkon virtuozitet dhe bashkëpunim të shkëlqyer mes solistëve dhe orkestrës.

Në skenë u ngjitën solistët e njohur Ermír Abeshi në violinë, Giuliano De Angelis në violonçel dhe Merita Rexha Tërshana në piano, të cilët sollën një interpretim të ndjerë dhe plot finesë.

Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, orkestra arriti të krijojë një dialog të harmonishëm mes instrumenteve, duke përcjellë tek publiku emocion dhe energji artistike.

“Ne interpretuam “Triple” të Beethoven, një vepër shumë e veçantë pasi ka 3 solistë në skenë, është një vepër shumë e bukur dhe e kam shijuar”, u shpreh pianistja Merita Rexha Tërshana.

“Është gjithëmonë një kënaqësi shumë e madhe dhe jam shumë i lumtur dhe jam gjithmonë i gatshëm të kthehem”, tha violinisti Ermir Abeshi.

Në pjesën e dytë të mbrëmjes u interpretua Simfonia Nr. 5 në Do minor, një nga veprat më ikonike të repertorit botëror, e njohur si simbol i fatit që troket në derë. Tingujt dramatikë dhe fuqia shprehëse e kësaj simfonie u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›