Osmani: 26 vjet pas luftës drejtësia mungon

PRISHTINË, 10 dhjetor /ATSH/ Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut është hapur ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, e cila është një thirrje për drejtësi dhe dokumentim të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Imazhe të trenit me qytetarë të cilët po largoheshin nga Kosova gjatë luftës, arkivole të të vrarëve, fëmijë e nëna që mundoheshin t’i mbijetonin luftës, janë vetëm disa nga pamjet që sot u shfaqën në këtë ekspozitë, të cilën nga afër e panë edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, diplomatë të vendeve të ndryshme në Kosovë dhe familjarë të personave të zhdukur.
Presidentja Vjosa Osmani tha se regjimi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç shkaktoi dhimbje që nuk shuhen asnjëherë. Ajo tha se është urgjencë kombëtare që krimet e kryera gjatë luftës të dokumentohen dhe të kërkohet drejtësi.
E para e vendit tha se Kosova nuk do të lejojë që krimet të harrohet e gjenocidi të mohohet dhe ekspozita e sotme ‘E vërteta, kujtesa, drejtësia’ nuk është thjesht një shfaqje fotografish, por një dëshmi që tregon se nuk do të lejohet që e vërteta të shtrembërohet
Drejtori i Institutit për Krime Lufte, Atdhe Hetimi tha se kjo ekspozitë është thirrje për përgjegjësi e dëshmi e fuqishme se krimet e kryera serbe nuk harrohen.
“Kjo ekspozitë… nuk është vetëm paraqitje vizuale e së kaluarës sonë, por akt institucional i kujtesës, thirrje për përgjegjësi dhe dëshmi e fuqishme se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen”, tha ai.
Në Kosovë edhe 26 vjet pas lufte ende nuk dihet për fatin e rreth 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
/KosovaPress//r.e/