Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ certifikon 1.146 kandidatë për deputetë

PRISHTINË, 10 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar në mbledhjen e sotme mbi 1 mijë e 146 kandidatë për deputetë nga radhët e 23 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa 33 kandidatët nga Lista Serbe nuk kanë marrë votat e nevojshme për certifikim.
Nga 23 subjektet politike të certifikuara, 17 janë parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe kanë votuar Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Me gjashtë abstenime, dy vota kundër, dhe tre vota për është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e komunitetit boshnjak Almir Saiti ka lëshuar mbledhjen e KQZ-së në shenjë proteste ndaj vendimit për certifikimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e Koalicionit Vakat, për të cilët tha se ka parregullsi dhe kërkoi që lista të mos certifikohet.Në këtë mbledhje, KQZ certifikoi vetëm 42 nga 43 kandidatët e subjektit politik Koalicioni Vakat, nga radhët e komunitetit boshnjak, për shkak të pretendimeve se një nga kandidatet nga kjo listë i përket etnisë shqiptare. /KosovaPress/