Mbi 1500 biznese të reja të regjistruara në nëntor

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se gjatë muajit shtator janë regjistruar mbi 1538 biznese të reja në tregun shqiptar. Gjithashtu, në nëntor pranë QKB-së janë kryer 10502 aplikime, janë lëshuar 168 licenca të reja dhe 12 leje për aktivitetet ekonomike.
Gjatë periudhës janar-nëntor janë regjistruar gati 21 mijë subjekte të reja, duke treguar një besim në rritje të qytetarëve dhe investitorëve në klimën ekonomike të vendit, si dhe efektivitetin e reformave që kanë synuar thjeshtimin e procedurave të regjistrimit të bizneseve.
Në fund të vitit 2024, numri i njësive ligjore aktive në vend arriti në 237 881, duke shënuar një rritje krahasuar me 226 778 një vit më parë. Shpërndarja e këtyre ndërmarrjeve mbetet kryesisht e përqendruar në qarqet më të zhvilluara, ku Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Vlora përbëjnë mbi 66% të bizneseve aktive. Tirana vijon të kryesojë me gjithsej 63 212 ndërmarrje aktive.
Struktura e sipërmarrjeve shqiptare dominohet nga sektori i shërbimeve, i cili përfaqëson 86% të totalit të ndërmarrjeve dhe gjeneron 67,1% të xhiros vjetore. Brenda këtij sektori, tregtia është një prej hallkave kryesore të punësimit, duke përfshirë 19,5% të forcës punëtore. Ndërkohë, sektori prodhues, ndonëse përbën vetëm 14% të bizneseve, ka një rol të rëndësishëm në ekonomi, duke kontribuar me 32,9% të xhiros dhe duke punësuar 17,3% të të punësuarve.
Profili i sipërmarrjes shqiptare dominohet nga ndërmarrjet e vogla, ku 85,8% janë mikrobiznese me nga një deri në katër të punësuar. Edhe pse të vogla, këto struktura kontribuojnë në dinamizmin e ekonomisë vendase, duke përfshirë 22,6% të punësimit dhe realizuar 18,7% të xhiros vjetore.
/r.e/a.f/